Vrau të "fortin" e fshatit, mbyllen hetimet për Leonard Bashaliun: Ma nxinte jetën

7 June 2022, 09:50Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vrau të "fortin" e fshatit, mbyllen hetimet për Leonard
Leonard Bashaliu dhe Ylber Xhahysa

Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Leonard Bashaliun, 36-vjeçarin e akuzuar si autori i vrasjes së 44-vjeçarit Ylber Xhahysa. Krimi për hakmarrje ka ndodhur më 08.06.2021 në fshatin Gjocaj të Peqinit. 

Viktima dhe autori kishin njohje me njëri-tjetrin. Sipas hetimeve, mes tyre kishte një konflikt të hershëm që e kishte zanafillën 5 vite para se të ndodhte krimi, kohë kur autori i dyshuar është konfliktuar me viktimën pasi ky i fundit i kishte gërvishtur automjetin.

Po ashtu Leonard Bashaliun e shqetësonte fakti që Ylber Xhahysa hiqej si i “forti” i fshatit. Autori i dyshuar u shfaq i rënduar psikologjikisht pas krimit dhe tha: “u zumë kot pasi para 5 vjetësh me ka qëlluar me grusht dhe sot filloi debati me fjalë e përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit”.

Bashaliu është arrestuar nga policia e Elbasanit pas ngjarjes dhe është hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”. Ndaj tij rëndojnë akuzat të “Vrasjes me paramendim”, “Prishje e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” parashikuar nga nenet 78/1, 274 dhe 278/1 të K.Penal.


Video