VIDEO/ I mori 50 mijë lekë qytetares për ta regjistruar sikur kishte dhënë gjak, vihet nën hetim mjeku i Durrësit

6 January 2023, 13:16Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
VIDEO/ I mori 50 mijë lekë qytetares për ta regjistruar sikur
Korrupsioni

Policia e Durrësit ka proceduar penalisht mjekun me inicialet I. Q., 50 vjeç, me detyrë Teknik gjaku, në spitalin rajonal të qytetit bregdetar.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ky mjek shfaqej duke i marrë 50 mijë lekë të vjetra një qytetareje që ta ndihmonte për të marrë shërbimin e transfuzionit të gjakut të dhuruar nga qytetarë të ndryshëm.

Siç shihet nga pamjet e publikuara nga JOQ, gruaja ka filmuar me zë dhe figurë se si me vetëm 50 mijë lekë të vjetra që i jepet mjekut në xhep te Banka e gjakut në spitalin e Durrësit, mund të regjistrohesh sikur ke dhënë gjak, kur në fakt nuk e ke dhënë.

Ajo i jep doktorit 50 mijë lekëshin, që ia fut në sirtar dhe kur e pyet mjekun “kjo vlen për sot?”, ai i përgjigjet “kjo vlen gjithmonë”. Gruaja kuptohet që ka të shtruar vajzën në spital pasi i ka lindur. Policia ka proceduar penalisht edhe gruan.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një mjek i Bankës së Gjakut në spitalin e Durrësit, i cili kundrejt pagesës 5000 lekë të rinj, ndihmon një paciente për të marrë shërbimin e transfuzionit të gjakut të dhuruar nga qytetarë të ndryshëm, ju bëjmë me dije se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, pas transmetimit të pamjeve, referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit I. Q., 50 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Durrës, me detyrë Teknik gjaku, në spitalin rajonal të Durrësit, për veprën penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe A. S., 45 vjeçe, banues në lagjen nr. 17, Durrës, për veprën penale "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të paligjshmërive të ndryshme, si dhe i siguron ata se strukturat vendore dhe qendrore të Policisë, do të reagojnë menjëherë me qëllim nxjerrjen e autorëve, përpara përgjegjësisë ligjore.




Video