Denoncimi i punonjësit të “Gjoka Construction”: Tuneli shembet në Rrugën e Arbrit, sepse është futur polisterol

6 January 2023, 10:02Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Denoncimi i punonjësit të “Gjoka Construction”: Tuneli
Rruga e Arbrit

Dy tunelet e para në Rrugën e Arbrit janë shembur, jo për shkaqe natyrore apo gjeologjike, por për shkak se i është futur polisterol për të kursyer betonin.

Ky është denoncimi i një punonjësi të kompanisë “Gjoka Construction”, i publikuar nga ekonomisti Pano Soko, përmes një postimi në rrjetet sociale. 

Denoncuesi shton më tej se kompania “Gjoka Construction” i ka mbajtur 10% të rrogës së parë dhe refuzon t’ia japin pasi ka dhënë dorëheqjen dhe pret të largohet për në Angli. Qytetari shprehet se kjo kompani “ka lidhje me politikën dhe që i falin një herë në tre muaj 20 milionë dhe 40 milionë, duke abuzuar me ndërtimin e rrugës së Arbrit”.

“Në rrugën e Arbrit, në dy tunelet e para me gjatësi 540 metra, është shembur jo për shkaqe natyrore apo gjeologjike, por për të kursyer beton, i është futur polisterol. Betoni çonte polisterol, sipër e puthiste për shkëmb, dhe tuneli u shemb. Bypass e ka bërë si bypass lufte… tunelet kanë dhe shtresa një plastike dhe një si batanije e bardhë. Në tunele kjo është venë vetëm në 12 metrat e para. Këtë e gjen prokuroria sa metra katrorë ka marrë e zhdoganuar, sa janë llogaritur për tunele dhe sa ka gjendje në magazinë”, shkruan qytetari ndër të tjera.

Soko u bën thirrje organeve ligjzbatuese të verifikojnë akuzat. Eksperti shton se kostoja financiare e deritanishme e këtij konçesioni është e jashtëzakonshme dhe kjo është e faktuar.

“Një thirrje për organet ligjzbatuese. Akuzat janë konkrete dhe minimalisht  duhen verifikuar qoftë nga KLSH apo Prokuroria. Një gjë eshtë fakt, kostoja financiare e deritanishme e këtij konçesioni është e jashtëzakonshme. Shteti duhet të përgjigjet!”, shkruan Soko krahas mesazhit të qytetarit që ka bërë denoncimin.


Video