Një e moshuar nga fshati Pirg i Maliqit, Luljeta Hoxha, 67-vjeçe, ka përjetuar tmerr dy netë para ndërrimit të viteve, ku një grabitës i ka hyrë në banesë, e ka dhunuar barbarisht, e ka lidhur dhe i ka grabitur një shumë parash prej 10 mijë eurosh.
Fillimisht, Policia u mjaftua vetëm me një njoftim të shkurtër, por ngjarja ka marrë vëmendje mediatike pas denoncimit nga ana e ish-kryeministrit Sali Berisha, teksa e moshuara ndodhet ende në spital.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se hetuesit po mbledhin prova dhe kanë administruar si provë litarin me të cilin ishte lidhur e moshuara në momentin e grabitjes.
Gjithashtu, janë sekuestruar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë së banesës ngjitur, e cila është në pronësi të kunatit të 67-vjeçares, për të bërë të mundur zbulimin e lëvizjeve që kanë ndjekur autorët.
Ndërkohë janë marrë në pyetje disa persona, mes të cilëve fqinj dhe të afërm të së moshuarës. Mes të shoqëruarve janë edhe 4 të rinj në zonë që i përshtaten përshkrimit për autorin e grabitjes.
Policia po heton edhe persona me të cilët e moshuara ka pasur kontakte të vazhdueshme, të cilët mund të kenë pasur dijeni edhe për shumën e parave që ajo mbante në kasafortë.