Personazhi i njohur i rrjeteve sociale, Ardi Daullxhiu ditën e djeshme ndërroi jetë paraditen në spitalin e Durrësit. Mësohet se fillimisht ai kishte ndjerë dhimbje në gjoks teksa ishte duke shitur fara në tregun e Durrësit dhe menjëherë ka marrë biçikletën për të shkuar në Urgjencën e Spitalit të qytetit, por është rrëzuar pa ndjenja në tokë në momentin që ka hyrë brenda rrethimit të spitalit.
Ardi Daullxhiu u bë i njohur pas ekspozimit në rrjetet sociale dhe kërkesave për ndihmë ekonomike në mënyrë që të dilte nga mjerimi i thellë ku ndodhej. Shkrimtarja Elona Caslli me anë të një postimi në rrjetets sociale ka reaguar ndaj mediave të cilat për klikime kanë "abuzuar" me titujt.
"Vdiq i mjeri më i famshëm në Shqipëri" janë mungesë etike a thua se ky është titull nderi shkruan shkrimtarja Elona Caslli.
Postimi i shkrimtares Elona Caslli:
Edhe të vdekur të etiketojnë. Pushofsh në paqe Ard!
Nuk mjafton jeta e vështirë që pati. Nuk mjafton fakti se shpesh dhimbja dhe jeta e tij u përdor për show në ekrane të ndryshme për të kënaqur egon e spektatorit mediokër që teksa mbllaçit vaktin e darkës, jargavitet me talljen që i bëhet një njeriu tjetër në ekran.
Nuk mjafton fakti se ikën para kohe nga jeta.
Jo, as vdekja nuk mjafton. Duhet ta etiketojmë vdekjen. Fjala bie, nuk mund të shkruhet si titull lajmi ” Vdiq Ard Daullxhiu”. Jo, nuk mund të shkruhet kështu. Duhet të shkruhet ” Vdiq i mjeri më i famshëm në Shqipëri”, në çdo portal. Mungesë e theksuar etike qoftë në plan njerëzor, qoftë në plan profesional.
Duhet shqyrtuar renditja e të mjerëve dhe emri i të mjerit që merr më shumë pikë, fiton titullin “I mjeri më i famshëm në Shqipëri”. Ky titull e shoqëron edhe pas vdekjes, a thua se është titull nderi.
Post Scriptum- Pushofsh në paqe Ard! Një gjë është e sigurt: Zoti nuk do të të etiketojë, por do të të mirëpresë.
(Elona Caslli)