
Një udhëzim i Ministrisë së Infrastrukturës detyron shumicën e autoshkollave që të investojnë për mjediset e mësimdhënies së teorisë për të përmbushur kriteret e këtij udhëzimi.
Udhëzimi i marrë më 14 prill vendos disa kushte për sallën, përmasat e saj, tavolinat dhe pajisjet e tjera që shërbejnë për procesin e mësimdhënies.
Kushti i parë është një klasa të ketë një ambient të paktën 30 metër katërorë me kapacitet jo më pak se 20 vende dhe të ndarë nga vendet e tjera.
Kushti i dytë kërkon ndriçim dhe ventilim të mjaftueshëm si dhe pajisjet e nevojshme për mbrojtjen nga zjarrit.
Së treti kërkohet që ambienti të ketë një higjienë të përshtatshme dhe me ujë pa ndërprerje përgjatë të gjithë kohës.
Në total, klasa ku zhvillohet mësimdhënia dhe ambienti hidrosanitar nuk duhet të jenë më pak se 35 metra/katrorë.
Gjithsesi, këto kritere nuk do të zbatohen për autoshkollat që ushtrojnë aktivitetin e tyre para hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi në një ambient që nuk i plotësojnë. Pika dy e udhëzimit thotë se kriteret do të zbatohen për autoshkollat që licencohen, ose për autoshkollat ekzistuese që ndryshojnë selitë.
Udhëzimi detyron një autoshkollë që të përdorë vetëm një seli, ambient e klasë për mësimdhënie që plotëson këto kushte.
Kushtet për pajisjet janë edhe më të rrepta. Udhëzimit përcakton fiks një tavolinë për mësuesin e teorisë, një tabelë shkrimi prej dërrase, ose xhami me përmasa minimale 1.1 metër me 0.8 metra, 20 tavolina dhe karrige të vendosura në distancë të përshtashme dhe të paktën 10 kompjutera për kandidatët për provat e testimit.