Truss kryeministre britanike, a ka vend për gëzim për emigrantët shqiptarë?

5 September 2022, 20:17Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Truss kryeministre britanike, a ka vend për gëzim për
Liz Truss

Shqiptarët që kanë hyrë në Britaninë e Madhe ilegalisht përmes kanalit të La Manshit dhe që kanë aplikuar për azil në ishull ndoshta iu gëzuan faktit që në krye të vendit nuk u zgjodh Rishi Sunak.

Në krahasim me Liz Truss programi i tij anti-emigracion perceptohej si më radikal dhe i ashpër, pavarësisht se vetë Sunak është bir emigrantësh në Britaninë e Madhe.

Megjithatë, edhe ardhja e Liz Truss nuk nënkupton ditë më të mirë për emigracionin ilegal. Truss nuk ka shpalosur asnjëherë një program të detajuar në lidhje me emigracionin dhe fushatën brenda konservatorëve për të pasuar Boris Johnson e përqëndroi te kriza e çmimeve dhe kriza energjitike.

Por, pavarësisht kësaj, emigracionin ajo e ka cekur përmes tri pikave, ku asnjëra nuk është inkurajuese.

Së pari, Truss thotë se do të synojë që të zgjerojë skemën ‘ruandeze’, pra atë të deportimit të emigrantëve ilegalë në vende të treta deri në procesimin e kërkesave të tyre për azil nga autoritetet britanike.

Kjo skemë është kritikuar nga aktivistë të të drejtave të njeriut si çnjerëzore dhe që rrezikon të bllokojë për vite me radhë nëpër kampe refugjatësh mijëra njerëz.

Pika e dytë e planit të thjeshtë të Truss është përforcimi i kontrolleve kufitare dhe shtimi i stafit të këtyre rojeve.

Pika e tretë, e kryeministres së ardhshme të Britanisë së Madhe është ‘garantimi se Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut funksionin për Britaninë’. Kjo pikë është evazive dhe nga disa është interpretuar si plan për të nxjerrë Britaninë e Madhe nga kjo konventë, që fajësohet nga ekstremistët e djathtë britanikë si nxitësja kryesore e emigracionit ilegal në vend.

 


Video