
Qytetarët janë të painformuar sa i takon përbërësve që buka, përzgjedhja e së cilës bëhet sipas shijeve, ku më e konsumuara mbetet buka e zezë.
Janë shumë të rralla furrat që në ambalazhin e tyre kanë të shkruajtur përbërësit. Për dekanin e fakultetit të bioteknologjsë ushqimore në UBT, Kapllan Sulaj, në furrat e bukës abuzohet me ngjyruesit, të cilët ndonëse nuk japin efekt të menjëhershëm për organizëm, bëhen shkak i sëmundjeve tumorale.
Sulaj thotë se AKU nuk ka kapacitetet e duhura për të kryer analiza të hollësishme për të garantuar sigurinë e konsumatorëve.
“Buka është një produkt i përdorimit të gjerë për konsumatorin dhe ashtu si të gjithë produktet e tjera ushqimore duhet të shoqërohet me informacion për përmbajtjen e saj. Aditivët që përdoren janë të dy grupeve të ndryshme; kryesisht ata që japin ngjyrën e bardhë dhe të zezë të bukës, duhe ttë deklarohen sasitë e tyre. Shpesh herë abuzohet nga tregtarët e bukës, kryesisht me bukën integrale ose bukën e zezë.
Kapacitetet analitike që ka vendi ynë nuk e mbulojnë të gjithë spektrin e substancave që përdoren. Prandaj kërkohen investime në këtë fushë, të pajisen laboratorët, por edhe njëkohësisht të trajnohen personat”, ka thënë ai për MCN Tv.
Sipas ligjit ushqimor, për produktet e nxjerra në treg ose që mund të nxirren në treg duhet të etiketohen dhe të identifikohen çdo lloj informacioni tjetër, me synim gjurmueshmërinë në rast të shfaqjes së dëmeve tek konsumatorët.