
Një aksident është regjistruar ditën e sotme në aksin Elbasan-Ish Kombinati Metalurgjik. Mësohet se si pasojë e aksidentit ka mbetur viktimë një 50-vjeçare Lefterie Binjaku. Viktima ishte banore e fshatit Katund i Ri.
E moshuara u përplas nga një autoveturë e cila po lëvizte me shpejtësi. Ndërkohë bëhet me dije se drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 14:00, shtetasi E. M., ishte duke drejtuar automjetin tip “Opel” dhe ka aksidentuar me pasojë vdekjen, shtetasen L. B., rreth 50 vjeçe. Pas kësaj, është larguar me shpejtësi nga vendi i aksidentit.
Falë ndjekjes nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, Policisë Rrugore të DVP Elbasan, Forcave të Posaçme “Shqiponja” dhe Njësisë Operacionale është bërë e mundur kapja e drejtuesit të mjetit, shtetasit E. M., rreth 36 vjeç, banues në fshatin Katundi i Ri, Elbasan, i cili ndodhet në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Mjeti tip “Opel” është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.