Zvarriti çështjet dhe nuk verifikoi 300 kallëzime, shkarkohet nga detyra prokurorja e dosjes "184"

31 January 2022, 12:24Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Zvarriti çështjet dhe nuk verifikoi 300 kallëzime, shkarkohet

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka shkarkuar sot nga detyra prokuroren e Dibrës Belina Zeneli, pas kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD).

Shkarkimi i Zenelit erdhi 11 ditë pas kërkesës së ILD. Më 20 janar, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkoi shkarkimin e Zenelit, duke e akuzuar se ka zvarritur 10 çështje gjyqësore dhe ka cenuar besimin te drejtësia.

Zeneli kishte në dorë dosjen e bujshme të shit-blerjes së votës në Dibër, e njohur si dosja "184".

Sipas ILD, Zeneli ka zvarritur hetimet paraprake duke mos i kryer veprimet hetimore në kohë dhe në dinamikë për periudha të gjata kohore të gjata, tej afateve procedurale dhe pa pasur arsye ligjore.

ILD argumentoi në kërkesën e saj se nga veprimet e prokurores Belina Zeneli, nuk i janë dhënë zgjidhje ligjore 33  procedimeve penale, si dhe nuk është kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime.

"Shkeljet proceduriale të kryera nga magjistratja, provohen të jenë kryer me dashje direkte. Kjo bazuar në formimin dhe eksperiencën e gjatë si prokurore, si dhe për faktin se për këto lloj shkeljesh, ndaj saj në vitin 2014 është dhënë masa disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”.

- Veprimet e magjistrates kanë sjellë pasoja në dhënien e drejtësisë dhe kanë cenuar imazhin e  organit të akuzës duke ulur besimin e publikut tek drejtësia.

a) Veprimet dhe mosveprimet e magjistrates përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskrediton pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozon Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore "Shkarkim nga detyra", parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “dh” dhe neni 111, pika 2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe neni 148/d, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë", thuhej mes të tjerash në kërkesën e ILD drejtuar KLP për shkarkimin e prokurores.e.a/voxnews


Video