
Zyrtarët që kanë detyrimin e deklarimit të pasurisë sipas kuadrit ligjor, duhet të bëjnë plotësimin e kësaj deklarate online deri më 31 mars 2022.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit dhe Pasurive dhe Konfliktit të Interesit njoftoi se kjo është një procedurë periodike vjetore që kryhet nga të gjithë subjektet në funksion.
“Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ju sjell në vëmendje subjekteve të cilët mbartin detyrimi për deklarim se, duke filluar nga data 1 Janar 2022 deri më 31 Mars 2022 duhet të plotësojnë deklaratën e interesave private në sistemin elektronik EACIDS, duke aksesuar linkun: https://deklarimi.ildkpki.al/
Sipas njoftimit, Autoritetet Përgjegjëse për Parandalimin e Konfliktit të Interesit pranë institucioneve publike, duhet të marrin të gjitha masat për njoftimin dhe këshillimin e zyrtarëve në institucionet përkatëse, si dhe në ato të varësisë” thuhet në njoftimin e ILDKPKI.
Sipas ligjit janë një kategori e caktuar zyrtarësh që duhet të deklarojnë çdo vit duke nisur nga Presidenti i Republikës tek Kryeministri dhe kabineti e tij , gjyqtarët nëpër shkallë të ndryshme të gjyqësorit, zyrtarët e nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, prefektët, drejtorët në drejtoritë qendrore dhe rajonale administratorët e shoqërive anonime ku ka pjesëmarrje kapitali edhe shteti.
e.k/voxnews