Akuza ndaj Ministrisë së Bujqësisë: Fshehu gripin e shpendëve

20 March 2022, 21:30Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Akuza ndaj Ministrisë së Bujqësisë: Fshehu gripin e

Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit akuzon Ministrinë e Bujqësisë se ka fshehur ekzistencën e gripit të shpendëve në vend, të paktën prej një jave.

“Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit Vendor denoncoi publikisht disa herë, prej një jave, se rastet e pulave të ngordhura në Durrës ishin një rast i pastër i gripit të shpendëve. Këto deklarata bazoheshin pas konsultimeve me specialistët më të mirë veterinarë të terrenit si dhe profesorë të nderuar me të cilët Shoqata jonë bashkëpunon prej kohësh”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë për mediat nga kjo shoqatë.

Kjo shoqatë mbërrin në përfundimin se dy institucione në varësi të Ministrisë së Bujqësisë kanë dështuar që të përmbushin detyrën, e cila lidhet ngushtësisht me sigurinë ushqimore të shqiptarëve, siç është veza masivisht e përdorur në tryezat tona.

“I bëjmë thirrje publike Ministres së Bujqësisë të distancohet nga sjellja e pa përgjegjshme e dy institucioneve të varësisë, “Instituti Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë” dhe “Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve” të cilët në shkelje flagrante të ligjit kanë lejuar për më shumë se 20 ditë një situatë kaotike duke mos arritur në diagnozën përfundimtare në kohën e duhur” , vijon deklarata.

Shoqata thotë se është në pritje të vendimeve të ministres Frida Krifca dhe paralajmëron edhe padi në SPAK për shpërdorim detyre.

“Për veprime dhe mos veprime në kohë të institucioneve përgjegjëse ISUV dhe AKVMB, Ministrja e Bujqësisë duhet të referojë pranë organeve kompetente një hetim të pastër dhe të paanshëm pasi jeta e Konsumatorit është rrezikuar . Ne si nje organizatë që kemi primare mbrojtjen e konsumatorit dhe prodhuesit vendor do të presim distancimin e Ministres së Bujqësisë. E kundërta do të tregojë që ministrja është pjesë e situatës së krijuar, me pasoja si për konsumatorin ashtu dhe për prodhuesit vendorë, duke rrezikuar jo vetëm jetën e qytetarëve por dhe ekonomitë e shpendarisë në Shqipëri”.

Kjo ngjarje, sipas shoqatës, edhe njëherë tjetër nxjerr zbuluar paaftësinë e të punësuarve nga shteti në bërjen e gardianit të sigurisë ushqimore.


Video