
Policia njofton se autorët e dyshuar të rrahjes sc kuzhinierit Indrit Çela janë dy vëllezër nga fshati Derven i Krujës.
Njëri prej vëllezërve, 24-vjeçari me inicialet E.L., sipas njoftimit të policisë është arrestuar ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij, me inicialet D.L.
Voxnews.al mëson se bëhet fjalë për vëllezërit Ernest Luka dhe Donald Luka, të cilët kane pasur konflikte të hershme me shtetasin Indrit Çela, për motive të dobta. Ata janë rrahur edhe më parë. Ernesti është kapur mbrëmë gjatë operacionit policor ë koduar Derveni, ndërsa Donaldi është shpallur në kërkim.
Njoftimi i Policisë:
Strukturat Hetimore të Komisariatit të Policisë Krujë, pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku dy shtetas kishin dhunuar fizikisht shtetasin I. Ç., i cili ka deklaruar se nuk i kishte njohur, si pasojë e errësirës, kanë organizuar punën, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, paraditen e sotme, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, ku ka rezultuar se:
Shtetasit E. L., dhe D. L., vëllezër, banues në fshatin Derven, rreth orës 18:30, në aksin rrugor Fushë Krujë - Rinas, në vendin e quajtur “Ura e Gjoles”, me automjetin e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit, me të cilin udhetonte shtetasi I. Ç., 39 vjeç, dhe e kanë goditur këtë të fundit me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike, i cili ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.
Shtetasi E. L., është arrestuar mbrëmjen e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Derveni”, ndërsa vëllai i tij shtetasi D. L., është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultat se mes shtetasve I. Ç., dhe vëllezërve E. L., e D. L., ka pasur konflikte të mëparshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosje e rënde me dashje”, e kryer ne bashkëpunim.