Mashtronin evropianët për investimet në bursa, SPAK kërkon burg për punonjësit e Call Center

19 March 2022, 21:39Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mashtronin evropianët për investimet në bursa, SPAK kërkon
Foto ilustruese

15 personat e arrestuar për mashtrime kompjuterike, vjedhje dhe grup i strukturuar kriminal, do të përballen me Gjykatën të Dielën për caktim të masave të sigurimit personal.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar për të gjithë masën e sigurisë arrest në burg. Në pranga ka rënë administratori i Call Center-it, Erjon Kasmi, Xhulian Xhafa specialist IT dhe 13 punonjës të njohur si menaxher sallash, të cilët e ushtronin aktivitetin në zona të ndryshme në Tiranë.

Po ashtu janë proceduar në gjendje të lirë 35 persona dhe 23 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Ndërsa të arrestuarit nuk kanë dhënë shpjegime para hetuesive, por të Dielën ata do të flasin para gjykatës, për rolin e tyre.

Referuar dosjes hetimore rezulton se “Blu Energy Call” e ushtronte aktivitetin e saj në Tiranë që nga viti 2018 dhe dyshohet se të mashtruar nëpërmjet këtij Call Center-i janë me qindra qytetarë gjermanë dhe të vendeve të tjera të BE.

Punonjësit e Call Center-it përdorin dy platformat “BrokerZ” dhe “Globalix”, për të zhvilluar aktivitetin e tyre.

Sipas burimeve, autoritetet gjermane janë vënë në lëvizje nga një person i cili ka bërë një kallëzim duke theksuar se është mashtruar për të investuar në bursa, por më pas parat e tij ishin zhdukur.

Autoritetet e atjeshme kanë nisur hetimet dhe më pas i janë drejtuar Prokurorisë së Posaçme me letërporosi ku e kanë vënë në dijeni për të gjithë skemën se si funksiononte Call Center-i.

Dëmi ekonomik që u është shkaktuar shtetasve të huaj dyshohet që të jetë i madh.

Ata telefonoheshin nga punonjësit e Call Center, u premtohej se po të investonin në bursa fitimet e tyre do të rriteshin. Të ardhurat rriteshin deri në momentin që qytetari investonte vlera të mëdha dhe më pas shkëputeshin kontaktet. Parat dyshohet se kalonin më pas në llogari offshore.

Gjatë operacionit u kontrolluan 8 ambiente dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 200 pajisje kompjuterike, 120 pajisje të telefonisë Voip, 1 laptop, 70 telefona të lëvizshëm, USB, karta të ndryshme, dokumentacione.


Video