Athina zyrtare duket se nuk është tërhequr aspak nga qëndrimet e ashpra kundrejt Shqipërisë, lidhur me çëshjten “Beleri” edhe pas dy intervistave të kryeministrit Edi Rama, të cilit i është dhënë mundësia të sqarojë pozicionin e tij për mediat greke.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgo Gjerapetriti ka folur sot me të njëjtën retorikë kërcënuese për bllokimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, nëse nuk merr zgjidhje çështja e Belerit.
Ai ka thënë se kjo është një çështje e vullnetit politik, dhe nuk ka të bëjë me drejtësinë, duke akuzuar se Belerit po i shkelet prezumimi i pafajësisë.
Ministri i Jashtëm Grek ka thënë se për këtë çështje ka vënë në dijeni politikanët më të lartë të BE-së, duke përfshirë edhe kreun e NATO, Jens Stoltenberg.
Mesazhi i ministrit të Jashtëm grek:
Çështja e Fredis Belerit, ndalimi i përkohshëm i padrejtë, që pengon betimin e tij si Kryetar i Bashkisë së Himarës, tashmë është ngritur nga Ministria e Jashtme, nga unë, në të gjitha forumet e mundshme. Të gjithë ministrat e vendeve anëtare të BE-së, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Stoltenberg, janë informuar personalisht. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian gjithashtu janë informuar plotësisht.
Gjithashtu pata mundësinë të bëja një diskutim të gjerë kokë më kokë me Komisionerin përgjegjës për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, me të cilin ngritëm çështjet e Ballkanit Perëndimor. Greqia, siç e dini, ka marrë iniciativën për të përshpejtuar rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt familjes evropiane. Dhe Greqia do të jetë gjithmonë një ndihmëse, 20 vjet pas Deklaratës historike të Selanikut, e këtyre vendeve për sa i përket perspektivës së tyre evropiane.
Sidomos për çështjen e zotit Beleri, dua të theksoj se, pavarësisht nga çështja e krizës gjyqësore, pavarësia e drejtësisë shqiptare, këtu vjen çështja e paraburgimit që e pengon atë të marrë detyrën. Kjo është një shkelje e qartë e prezumimit të pafajësisë, e shtetit ligjor, e të drejtave qytetare dhe e qytetarëve himariotë që e zgjodhën atë. Dhe dua të theksoj se kjo çështje, veçanërisht betimi dhe marrja e detyrës nga zoti Beleri, nuk ka të bëjë me funksionin gjyqësor në Shqipëri, por është thjesht një çështje vullneti politik, nga ana e qeverisë shqiptare. Dhe për këtë arsye, Greqia do të vazhdojë të shterojë çdo diferencë, në mënyrë që të bëhet e mundur betimi i kryetarit të bashkisë z.Beleri.