Sekretet dalin sheshit, deputeti nxjerr gabimisht të dhënat e klasifikuara të ushtrisë shqiptare

27 June 2022, 19:48Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sekretet dalin sheshit, deputeti nxjerr gabimisht të dhënat e
Ushtria shqiptare

Komisioni i Sigurisë për Emergjencat Civile ka zhvilluar një mbledhje këtë të hënë pas situatës së zjarreve në vend. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi bëri me dije se Shqipëria ka shtatë helikopterë të gjeneratës së katërt, ku tre prej të cilëve janë në duke u riparuar. 

Por, pas kësaj deklarate, deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj dha disa informacione të klasifikuara që i ishin vënë në dispozicion, duke i bërë pjesë të debatit me ministrin. 

“Ministria prishi marrëveshjen me kompaninë Airbass. Gjendja e gatishmërisë së helikopterëve pas vitit 2019 është shumë e ulët. Nga katër Cougar në gatishmëri ka qenë vetëm 1, sot nuk është asnjë. Nga 2 EC 135 asnjë në gatishmëri për dy vite. Pa folur për modelet e tjera që kanë katër vite pa shërbime. Helikopteri EC135. Kjo është panoramë e gatishmërisë së mjeteve ajrore. Gjatë tre viteve të fundit gatishmëria e flotës ajrore. NATO dhuroi tre kova në vitin 2019 por helikopterët nuk punojnë,” u shpreh Xhaferraj.

Këto të dhëna të klasifikuar nuk duheshin bërë publike, gjë që shkaktoi dhe ndërhyrjen e menjëhershme të ministrit dhe ish-shefit të Shtabit, deputetit socialist Bardhyl Kollçaku. Peleshi e akuzoi Xhaferajn për konsumim të veprës së nxjerrjes së informacioneve që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. Ministri i Mbrojtjes kërkoi fikjen e kamerave për t’u përgjigjur deputetit demokrat.

“Ju e përdorët kostumin e deputetit. Pozicionin e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë. E përdorët me shumë arrogancë. Shkelët ligjin për informacionin e klasifikuar në mënyrë arrogante. Ndonëse unë iua rikujtova që në fillim. Jo se donin të fshihnim ndonjë gjë. Por të shkelësh ligjin këtu ku bëhen ligjet për informacionet e klasifikuara. Shkelët ligjin për informacionin e klasifikuar dhe unë iua rikujtova këtë gjë se kishim gjë për të fshehur.

Të shkelësh ligjin për informacionin e klasifikuar për sigurinë kombëtare. Të bësh të njohura kapacitete me dobësi për forcat e armatosura është shkelje e ligjit që ju sapo e konsumuat. Konsumuat një vepër. Shkelët ligjin për informacionin e klasifikuar duke nxjerrë informacione të klasifikuara. Folët për kovat. Thatë që nuk punojnë. Ato kova kanë qenë në ajër. Folët për një qendër prodhuese të kompanisë Airbass. Ka qenë një kompani tjetër italiane. Tani ju kërkoj për një moment të fikni kamerat sa të them një fjali. Vetëm një minutë”, u shpreh Peleshi.

Por, pikërisht kur Peleshi mendonte se nuk e dëgjonte kush tjetër përveç deputetëve, teknika e Kuvendit hapi gabimisht, për disa çaste, fillimisht audion e më pas edhe figurën.

“Me këtë kompani kemi prishur kontratën për dy helikopter që po i çojmë në NATO sepse siç e thash po na nxjerr ujin e zi. Ju duhet të bashkoheni me mua, jo të bëheni kundër meje, kundër nesh kundër shtetit shqiptar, për të mbrojtur interesat e shtetit shqiptar”, u shpreh Peleshi.

Për menaxhimin e zjarreve në këtë sezon veror, Ministria e Mbrojtjes ka parashikuar marrjen me qira të avionëve nën argumentin se blerja e tyre ka një kosto më të lartë. 


Video