Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka lexuar në protestë një deklaratë, ku, veç të tjerash, bëhet thirrje ndaj Policisë së Shtetit për të ndalur kontrollin e emigrantëve që po vijnë në Shqipëri për të qenë pjesë e protestës mbarëkombëtare të thirrur për ditën e nesërme.
Ajo e ka cilësuar një veprim të tillë si represion policor, ndërsa u ka bërë thirrje bluve që të mos ushtrojnë dhunë dhe të mos “lejojnë” dhe tolerojnë të infiltruarit në protestë që mund të provokojnë dhunë.
“Të shqetësuar për kontrolle të imtësishme në kufi për diasporën që po vjen në Tiranë. Ndalni dhunën dhe represionin policor.
I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit që në protestën e nesërme të distancohet nga çdo akt dhune dhe nga tolerimi i personave të infiltruar. Detyra juaj është të garantoni sigurinë e qytetarëve, jo të nxisni dhunë.
U bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë që do t’i bashkohen nesër protestës të mbrojnë karakterin paqësor të saj”, tha ajo.
Deklarata e Vatnikajt:
“Çdo përpjekje për ta frikësuar përmes përdorimit të forcës përbën cenim të demokracisë dhe lirive themelore. Dënojmë përdorimin e forcës jopropocipoale të Policisë ndaj protestuesve, dhuna, gazi lotsjellës dhe ushtrimi i dhunës së personave të neutralizuar që janë në parim të kundërt me standardet e demokracisë. Komiteti i Helsinkit ka shprehur shqetësime për mënyrën si u administrua protesta duke shprehur shqetësime për forcën e policisë dhe standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Nuk mund të përdoren si justifikim aktet e dhunës ndaj qytetarëve që protestuan paqësisht. Policia së Shtetit të kërkojmë të japësh sqarim për tejkalimin e kompetencave dhe rast të dyshuar dhune, çdo punonjës policie që ka shkelur ligjin dhe ushtruar dhunën të mbajë përgjegjësi. Policia nuk mund të përdoret si instrument për të intimiduar dhe ushtruar presion ndaj qytetarëve.
Dhuna e Zvërnecit nuk ishte rast i izoluar, u përsërit edhe dje, ku një numër i madh protestuesish u përball me dhunën e qartë të policisë, duke cenuar të drejtën themelore të protestuesve për të protestuar paqësisht. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të protestuesve, të dënohen veprimet arbitrare, që nuk mund të përdoren si instrument frikësimi ndaj ju kërkojmë: Lironi çunat!
Shprehim shqetësim edhe për kontrollet e imtësishme në pikat doganore për të gjithë qytetarët shqiptarë duke nisur nga dita e djeshme, ndalni dhunën dhe represionin policor. I bëjmë thirrje Policisë që ditën e nesërme në protestë të distancohen nga çdo akt dhunë, person i infiltruar dhe provokim, detyra e tyre është të sigurojë mbarëvajtjen e protestës dhe jo të përdorë forcën për të penguar protestën. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që do marrin pjesë nesër, ta mbrojnë karakterin e kësaj proteste paqësore. Provokimet i shërbejnë vetëm atyre që duan ta mbajnë të paprekur sistemin. Ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë kudo që ndodhen që të marrin nesër pjesë në protestën qytetare dhe paqësore, ne duam një Shqipëri të re dhe njëkohësisht lironi shokët tanë”, deklaroi Vatnikaj.