Plagosja në Librazhd/ Policia: Biçaku do të vriste një tjetër person, jo Shpëtim Skurën

22 February 2023, 15:49Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Plagosja në Librazhd/ Policia: Biçaku do të vriste një
Shpëtim Skura dhe Albi Biçaku

Policia ka zbardhur ngjarjen e mbrëmjes së djeshme në Librazhd, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 35-vjeçari Shpëtim Skura, ku autor i ngjarjes ishte 27-vjeçari Albi Biçaku, i cili qëlloi me pistoletë që nga makina e tij drejt kafenesë.

Por, sipas Policisë, Skura nuk ishte shënjestër e atentatit, pasi Biçaku do të vriste një tjetër person që kishte konflikt me vëllain e tij.

"Nga veprimet hetimore dyshohet se rreth orës 18:00, shtetasi R. B. (vëllai i shtetasit A. B.) është konfliktuar fizikisht me shtetasin R. H. Më pas, shtetasi A. B. ka shkuar në lokalin ku po qëndronte shtetasi R. H., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tavolinës ku ishte ulur ai dhe si pasojë është plagosur aksidentalisht në këmbë shtetasi Sh. S., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën." thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka arrestuar vëllain e autorit Albi Biçaku, shtetasin R. B., 33 vjeç, banues në Librazhd, për veprat penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe municionit" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve". 

"Arrestimi i 33-vjeçarit u bë pasi gjatë kontrollit në banesën dhe në dyqanin e përbashkët me vëllanë e shpallur në kërkim si autor i plagosjes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan  1 armë zjarri pistoletë, 1 kallëp me lëndë plasëse e programuar për shpërthim në distancë, 1 karikator automatiku, 1 krehër pistolete, 136 fishekë dhe rreth 560 gamë kanabis." thuhet në njoftimin e Policisë.    

Vijojnë ende kërkimet për arrestimin e Albi Biçakut. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.


Video