Policia e Divjakës ka arrestuar dy persona të cilët janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe urdhër-arresti iu është komunikuar në spital.
Në pranga janë vënë shtetasit:
- Mirsad Sakajeva, 35 vjeç, banues në Gradishtë, Divjakë, i cili akuzohet për veprën penale "Vrasja me dashje", mbetur në tentativë
- Aristotel Derka, 28 vjeç, banues në Karavasta e Re, Divjakë, i cili akuzohet për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje".
Ata ishin duke udhëtuar me automjetet tip "Audi" dhe "Benz", në fshatin Mëhallëz, Divjakë, kur kanë ndaluar automjetet dhe për motive të dobëta janë konfliktuar me njëri-tjetrin, duke përdorur sende të forta dhe mjet prerës. Si pasojë e konfliktit, dy të rinjtë kanë marrë dëmtime të shumta dhe aktualisht ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Po ashtu janë vënë nën hetim dhe 5 persona të tjerë dhe një tjetër është shpallur në kërkim për përfshirje në këtë ngarje.
"Në vijim të veprimeve për këtë rast nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale "Dëmtime të tjera me dashje", për 5 shtetas të tjerë (pasagjerë në automjetet tip "Audi" dhe "Benz", konkretisht: T. K., 26 vjeç, banues në Babunjë, Q. H., 20 vjeç, R. Sh., 24 vjeç, të dy banues në Gungas, R. Ç., 18 vjeç dhe D. D., 18 vjeç, të dy banues në Muçias, Divjakë, pasi janë përfshirë në konflikt. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi F. C., 28 vjeç, banues në Muçias, për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje"." thuhet në njoftimin e Policisë.
Blutë e Divjakës kanë sekuestruar automjetin tip "Audi" dhe automjetin tip "Benz" si dhe dy leva që janë përdorur në ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.