
Dy punonjësit e Policisë së Shtetit kanë dalë nga selia e PD pasi kanë njohur kryedemokratin Sali Berisha me vendimin e GJKKO që ka caktuar ndaj tij masën detyrim paraqitje dhe ndalim për të lëvizur jashtë vendit.
Në një deklaratë në hyrje të selisë blu, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi la të kuptohet se Berisha nuk e ka pranuar vendimin, pasi sipas tij është antikushtetues.
“Veprimi është në kundërshtim me kushtetutën çdo veprim në kundërshtim me kushtetutën s’mund të firmoset”, tha Bylykbashi në një deklaratë për gazetarët.
Ligjvënësi shpjegoi se për çdo masë sigurie për një deputet dhe jo vetëm “arrest me burg”, duhet që fillimisht të miratohet nga Kuvendi. Dhe në kushtet kur kjo nuk ka ndodhur, shtoi, atëherë vendimi i gjykatës është i paligjshëm.
Ai theksoi se veprimet e SPAK ndaj Berishës kanë sfond politik.
"Pas akteve qartazi me një sfond politik nga një instrument gjoja i drejtësisë së re, i ngritur dhe i akuzuar që në fillimet kur është ndërtuar se po ndërtohet për t’u kapur dhe përdorur politikisht, pas asaj, në shkelje flagrante të Kushtetutës, SPAK dërgon Policinë e Shtetit, e cila në fakt është organ i zbatimit të ligjit dhe jo i urdhrave politikë të Edi Ramës, dërgon Policinë e Shtetit duke kërkuar ekzekutimin e një mase që kufizon lirinë e një deputeti të republikës, zotit Sali Berisha, deputet i Parlamentit të Shqipërisë, kryetar i PD. Kufizon lirinë e tij në kundërshtim me Kushtetutën. Tashmë është praktikë e konsoliduar e parlamentit të Shqipërisë se prokuroria duhet të kërkojë leje nga Kuvendi, i cili duhet të japë autorizimin jo vetëm për arrestin, por dhe çdo lloj mase tjetër kufizimi të lirisë të çdo shtetasi shqiptar, që është deputet”,tha ai.
Deputeti u shpreh se urdhri kufizon lirinë e lëvizjes të parashikuar në nenet 37 dhe 38 të lëvizjes.
“Neni 73 i kushtetutës detyron që çdo formë e kufizimit të deputetit duhet të kërkohet autorizimi”, shtoi ai.