Policia i komunikon masën Berishës në selinë e PD dhe i merr pasaportën

21 October 2023, 23:09Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Policia i komunikon masën Berishës në selinë e PD dhe i merr
Oficerët e policisë së Krimit Ekonomik

Oficerët e policisë së Krimit Ekonomik shkuan gjatë mbrëmjes në selinë e Partisë Demokratike, për t’i komunikuar Sali Berishës masën e sigurisë, detyrim paraqitje dhe për t’i marrë pasaportën.

Ai akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv, në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Për të njëjtën çështje në pranga është vënë dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, Berisha i cilësoi akuzat e ngritura nga SPAK ndaj tij dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, të pabaza dhe politike. Ish-kryeministri hodhi poshtë çdo akuzë dhe theksoi se i vetmi faj që ka Jamarbër Malltezi është fakti se është bashkëshorti i vajzës së tij.

Sali Berisha akuzoi drejtpërdrejtë Edi Ramën, i cili sipas tij me këto akuza, vendosi diktaturën.

I pyetur nëse i druhet burgimit, Berisha u shpreh: “Asgjëje si druhem unë, besoj se unë e kam faktuar këtë gjë. Do druhesha po të shihja që dëmtohej kauza, kjo përkundrazi ndihmon kauzën tonë”.

Jamarbër Malltezi u arrestua pasditen e kësaj të shtune në aeroportin e Rinasit me urdhër të SPAK. Dhëndri i Sali Berishës akuzohet për pastrim parash dhe korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Për të njëjtën çështje në pranga ka rënë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi.


Video