Pediatrja Lira Gjika ka treguar përmes një postimi në rrjetet sociale, një skenë konkrete të hasur në rrugët e Tiranës, ku një nëne i thoshte fëmijës së saj se "mami do vdesi dhe t'i do jetosh me njerkën që nuk do të dojë" duke i bërë presion që ai të mos qendronte i mërzitur.
Pediatra shprehet se kjo skenë e ka tronditur dhe se kjo skenë tregon që ‘edukimi’ ynë ka ende rrugë përpara për të arritur atë mënyrë që e dëshirojmë të gjithë.
“Isha duke shkuar në punë dhe përpara meje ecte një nënë e re me fëmijën e saj tre vjeçar. Fëmija vraponte para nënës dhe kthehej prapë te ajo. Nga distanca, që e shikoja unë, ishte një gjë e mrekullueshme. Por kur u afrova dhe pak pranë tyre, dëgjoj nënën e cila iu drejtua djalit: ‘po kështu bëj ti, por mami do vdesi dhe babi do të martohet me njerkën dhe ajo nuk do të të dojë ty fare’. Fëmija i vogël filloi të qajë me të madhe duke thënë:- jo mami, jo - por nëna vazhdonte:- jo ti kështu e do që të mos sillesh keq. Ishte një skenë makabre, që kisha vite që nuk e hasja më, madje më ishte krijuar përshtypja që kjo mënyrë, tashmë ishte lënë më një anë dhe nuk përdorej më. Jo, kjo skenë më tronditi dhe tregon që ‘edukimi’ ynë ka ende rrugë përpara për të arritur atë mënyrë që e dëshirojmë të gjithë, por për fat të keq ende nuk po bëjmë atë që duhet, pra të mos përdorim frikën dhe kërcënimin për edukim”, shkruan Lira Gjika.