Ardian Uzuni, është një tjetër emër i arrestuar nga SPAK për akuzën e tentativës së vrasjes ndaj Filip Gjeloshit një prej emrave të botës së krimit në Tropojë. Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, Ardian Uzuni dhe persona të tjerë kanë planifikuar vrasjen e Filip Gjeloshit, por një gjë e tillë nuk është arritur të kryhet, shkruan Oranews.
Emri i Ardian Uzunit, nuk është i panjohur për policinë dhe prokurorinë e SPAK. Kjo pasi Ardian Uzuni, ka qënë pjesë një gjykimi si anëtar i një grupi kriminal që drejtohet nga Admir Tafili dhe që mereshin me vrasje me pagesë.
Ardian alias Isuf Uzuni, 56 vjeç, rezulton të jetë dënuar më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për “Vrasjen me paramendim” të Edmond Çakmashit e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentative.
Kush është Filip Gjeloshi
Pa i mbushur të 20-at, Gjeloshi do të akuzohej se në Lekbibaj kishte kryer një vrasje, akt për të cilin sot e asaj dite nuk u vërtetua. Ndërkohë do të arrestohej, e lirohej për atë akt, emri i tij do të skalitej fort në përballjet me policinë. Në 2006 Filip Gjeloshi i rezistoi me armë për orë të tëra përballjes me RENEA-n në një shpellë në Lekbibaj.
Asokohe arrestimi i tij ishte një nga sukseset më të mëdha të policisë, por shpejt Gjeloshi do të linte sërish qelinë. Në 2011 i shpëtoi një atentati në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë.
Aksioni është zhvilluar në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Elbasan. Sipas informacioneve, 13 urdhër-arreste janë vetëm në Elbasan, një prej qyteteve më të nxehta të krimit në vend.
Kujtojmë se më shumë se 12 janë ngjarjet kriminale mendohet se janë zbardhur nga dëshmia e Nuredin Dumanit, pas arrestimit. SPAK ka goditur dje 8 grupe kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan dhe bëhet fjalë për krimet ndër më të rëndat në këto vitet e fundit, ekzekutime mafioze por edhe urdhra për vrasje, pagesa qindra mijëra euroshe për ekzekutime etj.
Bujar Çelën, vëllain e armikut të tij të përbetuar Talo Çelës, Dumani ka thënë se e ka vrarë Besmir Xhixha , vetë ai dhe një person tjetër që është shpallur në kërkim. Ndërsa 2.8 kg tritol të vëna në banesën e Talo Çelës, rreth një vit e gjysmë më është vënë nga shtetasi Elio Bitri. Sipas tij Talo Çela kish organizuar një plan për vrasjen e Florenc Çapjas, por edhe të Sokol Sanxhaktarit.