Autorët dyshohet se kanë patur informacion shumë të sakta për lëvizjen e viktimave Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, të atentatit të sotëm tek mbikalimi i Panajasë në Vlorë.
Mësohet se Shpati Lena ruhej jashtëzakonisht shumë, lëvizte gjithmonë me mjet të blinduar dhe nuk shfaqej në publik. Ai jetonte në lagjen “24 Maji” ose siç njihet ndryshe si lagjja “Çole”.
Vetëm pak kohë më parë, ai ka humbur edhe të ëmën dhe ka shkuar me vështirësi në funeralin e saj, pasi i ruhej një atentati të mundshëm ndaj tij.
Udhëtimi i tij i sotëm me automjetin e llojit “Mercedes Benz”, tip "B Class" me targa "AB 036ET", pra një automjet jo të blinduar është i dyshimtë për një person që i ruhej atentateve. Nuk dihet nëse atë e ka tradhtuar dikush për lëvizjen me atë automjet, apo autorët e kanë mbajtur nën vëzhgim prej ditësh.
Ai u arrestua në muajin Mars, për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj dhe në qeli qëndroi vetëm, tre ditë, pasi gjykata i caktoi masën "detyrim paraqitje".
Nuk dihet nëse Shpati Lena i ruhej atentati vetëm nga kjo ngjarje e regjistruar në vitin 2019, apo merrej edhe me punë të tjera "të pista".