Janë zbardhur detaje të reja nga atentati i regjistruar paraditen e sotme në Vlorë, ku u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi 37-vjeçari Geno (Shpati) Lena dhe 34-vjeçari Hakim Xhezo, i njohur si "Bushi".
Mësohet se ata lëviznin gjithmonë me makinë të blinduar, pasi i ruheshin një atentati. Viktimat dyshohet se kanë nën vëzhgim të vazhdueshëm prej ditësh nga autorët.
Sapo kanë parë që ata kanë ndryshuar makinën e blinduar, kanë vënë në zbatim planin duke i ekzekutuar tek mbikalimi i Panamasë, në afërsi të autostradës. Ky duket se është një vend i zgjedhur nga ana e autorëve, pasi nuk ka biznese dhe banesa pranë dhe as kamera sigurie.
Dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë tre autorë, dy në rolin e qitësit dhe një drejtues mjeti. Ata dyshohet se kanë qenë profesionistë, pasi e kanë qëlluar automjetin e viktimave në tre anë, mbrapa, anësore dhe para, si dhe një detja që duhet theksuar është se vetëm dy plumba e kanë zënë makinën tek llamarina dhe të gjithë të tjerët janë zbrazur tek xhamat.
Makina e autorëve tip "BMW" ishte vjedhur disa javë më parë në Durrës. Pas atentatit, autorët e dogjën automjetin në fshatin Çerven të Fierit dhe brenda saj janë gjetur dhe tre kallashnikovë.