Është zbardhur dinamika e atentatit të regjistruar mëngjesin e sotëm tek mbikalimi i Panajasë në Vlorë.
37-vjeçari Shpati Lena dhe 34-vjeçari Hakim Xhezo ishin nisur nga Vlora në drejtim të Fierit, por rruga ju pre në mes. Ndryshe nga herët e tjera, ata nuk përdorën mjet të binduar, por hipën në një makinë të thjeshtë të llojit “Mercedes Benz”, tip "B Class" me targa "AB 036ET".
Autorët dyshohet se kanë mbajtur nën vëzhgim prej disa ditësh dy viktimat dhe sapo kanë vënë re këtë detaj, kanë vënë në zbatim planin e atentatit.
Në momentin që Lena dhe Xhezo hipën në mbikalimin e Panajasë, atentatorët që deri më tani dyshohet të ketë qenë një skuadër vrasësish me pagesë prej tre personash, nisën t’i qëllonin me breshëri kallashnikovi.
Nga mjeti i tyre tip “BMW” pa targa, autorët për 200 metra dyshohet se kanë qëlluar me breshëri duke zbrazur të paktën 60 plumba kallashnikovi. Fillimisht i qëlluan nga mbrapa, më pas u dolën paralel dhe në fund goditën xhamin e parmë të makinës që siç duket ishte fatale për jetën e dy të rinjve.
Si pasojë e breshërisë së plumbave, Xhezo e Lena humbën kontrollin e mjetit dhe përfunduan në kanal. Mjeti i autorëve rezulton të jetë vjedhur në Durrës dhe u gjet i djegur në fshatin Çerven të Fierit dhe brenda saj janë gjetur dhe tre kallashnikovë.
Dy janë pistat ku grupi hetimor është fokusuar për hetimin e vrasjes së dyfishtë. E para është shkaqe hasmërie për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj, ngjarje e ndodhur në vitin 2019, ku Shpati Lena ishte bashkëpunëtor dhe vëllai i "Bushit", Eduart Xhezo, ishte autori.
Pista e dytë është ajo e pazareve të drogës.
Hakim dhe Eduart Xhezo, i arrestuar për vrasjen e Arben Beqirajt, kanë qenë subjekte të Operacionit Forca e Lligjit. OFL më Korrik 2020 u nisi kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, dy vëllezërve Eduart dhe Hakim Xhezo. Sipas OFL, ndaj Eduart Xhezo, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj në Vlorë. Ndërsa Hakim Xhezo, rezulton i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Për këtë arsye nuk përjashtohet edhe kjo pistë hetimi.