Kompania ajrore "WizzAir" e ka kthyer tashmë në diçka të zakonshme vonesat e shumta të fluturimeve që lidhin Shqipërinë me Europën. Edhe në një fluturim të ditës së sotme, nuk kishte sesi të mungonte vonesa e saj.
Pasditen e kësaj të premte ka patur një udhëtim nga Barcelona drejt Tiranës, i planifikuar për t'u nisur në orën 15:20, por si gjithmonë edhe ky udhëtim i kësaj kompanie nuk mund të shkonte pa vonesa.
Mësohet se fluturimi ka nisur në orën 16:00 dhe pasagjerët janë vonuar 40 minuta përtej orarit të planifikuar për t'u nisur.
Kjo nuk është hera e parë që kompania ajrore "WizzAir" vonon fluturimet. Pak ditë më parë raportuam dhe për vonesën e fluturimit Malmo-Tiranë me rreth 18 orë duke rraskapitur pasagjerët.
Vetëm në pak kohë ka patur me dhjetra denoncime për këtë kompani qoftë për vonesat me fluturimet por edhe për kushtet skandaloze brenda avionëve të saj.
Mbetet për t'u parë nëse autoritetet shqiptare të kontrollit të aviacionit civil do të ndërhyjnë për të sanksionuar WizzAir për vonesat e përsëritura, apo si gjithnjë do të mbyllin njërin sy.