Artan Hoxha disa ditë më parë bëri një deklaratë të fortë në studion e Opinion kur lidhi emrin e presidentit Meta me dëshminë e Nuredin Dumanit që kishte dëgjuar për përfshirjen e tij në vrasjen e vëllait të ish-deputetit.
Deklarata e Hoxhës u përgënjeshtrua me një njoftim zyrtar nga SPAK, ndërsa një reagim të fortë pati avokati Genc Gjokutaj. Ai i bëri thirrje Blendi Fevziut të mos e ftojë më gazetarin në studion e tij, sepse ai i shërben krimit.
“Një gazetar në një studio, të sajojë një skenar kaq të rëndë duke goditur figurën e presidentit, është shërbim i bërë ndaj njerëzve të cilët janë të kriminalizuar.
Të referohesh në një deklaratë të paqënë, i bëj thirrje jo vetëm Fevzitut po gjithë gazetarëve që ai mos të thirret më në studio televizive. Artan Hoxha abuzoi me statusin, lirinë e fjalës, statusin fisnik që ka gazetari”, tha Gjokutaj.
Sot, është përgjigjur Artan Hoxha. Sipas tij, Gjokutaj ishte i droguar dhe i pirë kur ka folur, ndërsa më herët ai e akuzoi prishjen e provave të 21 Janarit.
“Kur duan të të japin ndonjë mesazh, këta të politikës nuk të marrin vetë në telefon, por nxjerrin njerëz nëpër studio dhe të sulmojnë.
Dalin tipa të droguar dhe të pirë, bashkëpunëtorë të kriminelëve që deri dje kanë mbrojtur krimin dhe të sulmojnë nëpër studio. Kanë qenë prokurorë deri dje dhe kanë prishur provat e 21 Janarit e tani dalin na bëjnë moral. Këtyre njerëzve duhet t’u bëjmë testin e alkoolit para se t’i fusim nëpër studio”, tha Hoxha.