Eksperti i Kriminalstikës, Ervin Karamuço ka treguar një histori sesi një ish-student i tij ka përdorur leksionet e marra nga ai për t'u bërë një grabitës "profesionist".
Në një postim në rrjetet sociale, Karamuço shkruan se ish-studenti i tij sapo kishte dalë nga burgu i Patrës dhe ishte deportuar në Shqipëri pasi ka vuajtur dënimin, pasi kishte vjedhur disa vila.
Ish-studenti i Karamuços kishte ndjekur në grabitje një ‘truk’ të dëgjuara nga leksionet, që të mos përdorë doreza pasi linin gjurmë gishtash, por lyente gishtat me ngjitës "attack".
“Profesor ti më ke përgatitur për jurist, por unë leksionet e tua i shfrytëzova për të qenë hajdut i suksesshëm në Greqi. Këtë më tha dje një ish studenti im, i cili sapo kishte dalë nga Burgu i Patrës dhe ishte deportuar për në Shqipëri. Fillova me tre të tjerë të grabitja vila tha. Nuk vishja dorashka ngaqë na kishe thënë se ato kur i heq mbajnë ende profile gjurmësh. Ndaj përdora një metodë tjetër. Lyeja gishtat me ngjitës "attack" dhe maskoja profilet papilare. I habita ca kohë ata të policisë greke, sepse në kamera më shikonin pa dorashka, por në vendngjarje nuk gjenin asnjë gjurmë. U arrestuam mbas 6 muajsh. U zbuluam nga një pakujdesi në shitjen e orendive të vjedhura. Vuajta dënimin dhe tani jam në Tiranë. Për disa çaste më ngjau vetja bashkëfajtor, ula kokën e përshëndeta dhe u largova”, shkruan Karamuço.