Kamerat e sigurisë të bizneseve kanë fiksuar lëvizjet e dy autorëve që vendosën rreth 200 gram tritol automjetit tip Audi në pronësi të Ermal Kasës në orët e para të mëngjesit të datës 30 maj në lagjen ‘Pavarësia’ në Vlorë.
Në foton e mëposhtme të TV Klan shihen dy autorët pak momente para se të vendosnin lëndën plasëse në makinën luksoze. Në videon që disponon grupi hetimor, autorët shihen teksa i drejtohen automjetit në këmbë dhe sapo vendosin sasinë e tritolit largohen me vrap nga vendi i ngjarjes.
Gjithsesi, momenti kur vendoset sasia e eksplozivit në mjet nuk është fiksuar nga asnjë prej kamerave të sigurisë. Deri tani nga pamjet e siguruara nuk ka qenë e mundur që autorët të identifikohen nga Policia.
Nga shpërthimi fatmirësisht janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Pronari i automjetit, Ermal Kasa, përpara hetuesve ai ka mohuar të ketë konflikte. 31-vjeçari me origjinë nga Elbasani, banues në Vlorë, punon si financiar i kazinosë së një resorti. Puna e tij është një nga pistat e hetimit, pasi vetë i riu nuk rezulton një person i skeduar më herët nga uniformat blu.