Është shoqëruar me tensione seanca e sotme ndaj Ardian Çapjas dhe të penudarve të tjerë për vrasjen e Gentian e Nezir Beqirit në 2012.
I penduari i drejtësi Ervis Bardhi, i cili akzohet si një nga autorët e vrasjes së dyfishtë, ka treguar detajet nga mënyra se si ishte njohur me Gentian Beqirin në qelitë e burgut të Peqinit, në krijimin e miqësisë me të dhe vizitat e herëpashershme në shtëpinë e Beqirit.
Më tej ai ka dhënë dhe detajet e marrjes së porosisë për ekzekutimin e tyre, ku tregon se ka patur tre takime me Florenc dhe Ardian Çapjen.
“Ardiani me tha kush shkon atje lart tek Gent Beqiri do vritet. E pranova ta vrisja me Olsi Lekun vetëm për leket. S’kisha asnjë konflikt me Beqirin”, ka thënë Bardhi gjatë dëshmisë në seancën gjyqësore.
Më pas ka ndërhyrë Ardian Çapja, i cili ka thënë se Ervis Bardhi është mashtrues ordiner dhe gënjen vazhdimisht.
Si ndodhi vrasja
Në 15 gusht të vitit 2012, 40-vjeçari, Gentian Beqiri, është ekzekutuar në banesën e tij, në lagjen “Sporti i Vjetër”, të Elbasanit. Dëshmitar i ngjarjes së rëndë, ka qenë babai i tij, Nezir Beqiri, i cili ndërroi jetë pak minuta pas të birit. Fillimisht u dyshua se Nezir Beqiri kishte pësuar infarkt pas ngjarjes, por ekspertiza mjekoligjore përcaktoi se i moshuari ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta që ka marrë në trup. Ekzekutorët e kanë goditur disa herë në mushkëri, duke i shkaktuar hemorragji e pas disa minutash në urgjencën e qytetit, ai gjeti edhe vdekjen.
Autorët e kësaj vrasje dyshohet se kanë qenë Ervis Bardhi dhe Olsi alias Jorgo Leku, të cilët e kanë kryer krimin në këmbim të 50 mijë eurove.
Dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-ën, Gentian Beqiri është akuzuar nga organet e drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”