“I kisha akumuluar të gjitha”, çfarë tha polici që vrau kolegun në komisariat

24 May 2022, 00:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“I kisha akumuluar të gjitha”, çfarë tha polici

Komisariati nr.3 në Tiranë u kthye sonte në skenë krimi, pasi një efektiv qëlloi kolegun me armën e shërbimit, duke i marrë jetën.

Ludian Zaimi qëlloi me armën e shërbimit Çaush Saliasin, 55 vjeç, ndërsa ky i fundit ndërroi jetë në spital.

Në dëshminë e tij, siç mëson gazetarja e Abc, Xhensila Kodra, autori ka thënë se viktima e ka ngacmuar me fjalë dhe të gjitha këto i kishte akumuluar.

“Para se të merrnin shërbimin ndodheshim në zyrën e ndarjes së turneve. Kam qenë tejet i mbyllur, më ka ngacmuar me fjalë dhe disa herë ofenduese. I kisha akumuluar të gjitha këto deri në mbrëmjen e sotme”, ka thënë ai.

Ngjarja ka ndodhur përpara se efektivët të merrnin shërbimin. Çaush Saliasi ka marrë 6 plumba në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa nuk mundi t’u shpëtojë plagëve. Autori kishte vetëm një vit e gjysmë që ishte bërë pjesë e uniformave blu, ndërsa viktima ishte prej 20 vitesh polic.

Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.


Video