Krimi Ekonomik i Tiranës bastis dyqanet e "TIBO" për piraterinë televizive!

13 January 2024, 11:44Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Krimi Ekonomik i Tiranës bastis dyqanet e "TIBO" për
TIBO

Departamenti i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Tiranë, i mbështetur nga strukturat e tjera të zbatimit të ligjit, ka mësyrë në dyqanet e kompanisë “TIBO” dhe pikat e shitjes “Easy Pay”, në kuadër të luftës kundër evazionit fiskal dhe piraterisë televizive.

Pamjet i ka ndarë dhe vetë ministri i Brendshëm, i cili thotë se organizimi i veprimtarive ekonomike të paligjshme duhet të vijojë të jetë në fokusin e strukturave kundër krimit ekonomik në të gjithë territorin.

“Organizimi i veprimtarive ekonomike të paligjshme, të paliçensuara, të cilat shmangin detyrimet fiskale ndaj shtetit dhe vjedhin të drejtat e autorit nga operatorë të tjerë të ligjshëm duhet të vijojë të jetë në fokusin e strukturave kundër krimit ekonomik në të gjithë territorin.

Njoftimi i policisë:

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Sektorin per Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Tregtonin aparatura dekoder që transmetojnë kanaleve televizive vendase dhe të huaja, për të cilët kërkohet pagesë specifike nga platforma të licensuara zyrtare, vihen në pranga 3 shtetas.

Procedohen penalisht 7 të tjerë, dhe shpallet në kërkim një tjetër.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 200 aparatura dekoder.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Sektorin per Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore finalizuan operacionin policor të koduar "Transmodulari".

Si rezultat i tij u bë ndalimi i shtetasve:

F.L., 55 vjeç, A.M., 50 vjeç dhe E.B. 70 vjeçe, të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit E. S., 21 vjeçe, E. Hj., 35 vjeç, A. Gj., 43 vjeçe, D. M., 23 vjeçe, G. D., 33 vjeç, G. P., 26 vjeçe, E. T., 21 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë, dhe u shpall në kërkim shtetasi J. V., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, tregtonin në subjektet e tyre tregtare, aparatura dekoder që transmetojnë kanaleve televizive vendase dhe të huaja, dhe për të cilët kërkohet pagesë specifike nga platforma të licensuara zyrtare.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, u gjetën 200 aparate dekoderash, të modeleve të ndryshme tokësore dhe satelitore, dhe transmodulari që bënte kontrollin e të gjitha IP-ve të shpërndara pas shitjes së dekoderave, me listën e kanaleve specifike, si dhe gjithashtu bënte gjurmimin në kohë reale të kanaleve, nëpër subjektet e shpërndara.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Rruga e pakthyeshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian kërkon një koordinim edhe më të mirë mes Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese në luftën kundër krimeve ekonomike, evazionit, kontrabandës, krimeve kibernetike, piraterisë etj.

Përgëzime Drejtorisë së Policisë Tiranë për fillimin e mbarë të këtij viti në goditjen e aktiviteteve kriminale të kësaj natyre”, shkruan ministri Taulant Balla.

Bëhet fjalë për kompani që ofrojnë kundrejt pagesës kanale dhe programe televizive që u përkasin platformave të tjera, duke shmangur detyrimet ndaj shtetit, si dhe duke vjedhur të drejtën e autorit nga opperatorë të ligjshëm televizivë.


Video