Grabitësit e "BKT" në Koplik djegin "Golf-in" e tyre dhe grabitin një "Benz" për t'u larguar (DETAJET)

9 May 2022, 15:38Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Grabitësit e "BKT" në Koplik djegin "Golf-in" e

Policia e Shkodrës ka dalë me një komunikatë zyrtare në lidhje me grabitjen e filialit të Bankës Kombëtare Tregëtare në Koplik të Malësisë së Madhe.

Sipas policisë, tre autorët kanë grabitur dhe një automjet tip "Mercedes Benz" për t'u larguar, pasi kanë djegur mjetin e tyre tip “Volkswagen” në dalje të Koplikut. Mësohet se ata ja kanë grabitur mjetin "Mercedes Benz" një qytetari të rastit nën kërcënimin e armës.

I çuditshëm është fakti se grabitësit nuk kanë përzgjedhur një zonë të pabanuar për djegien e makinës, por rrethrrotullimin që të lidh me aksin nacional Shkodër-Hani i Hotit, ku ka lëvizje të shumta nga shqiptarë dhe të huaj.

Blutë e Shkodrës bëjnë me dije se janë vënë në ndjekje të tre autorëve. Policia ka ngritur disa pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Filiali i "BKT-së" në Koplik të Malësisë së Madhe u grabit mesditën e sotme nga tre persona të maskuar dhe të armatosur. 

Njoftimi:

Rreth orës 14:10, jemi njoftuar se disa persona të paidentifikuar kanë vjedhur, nën kërcënimin e armës, një shumë parash në filialin e një banke të nivelit të dytë, në Koplik, Malësi e Madhe, dhe më pas janë larguar me një mjet tip “Volkswagen”, të cilin e kanë djegur në dalje të qytetit.

Personat, ende të paidentifikuar, pasi kanë djegur automjetin e tyre, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës, një automjet tjetër tip “Benz” të një qytetari të rastit dhe janë larguar. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe grupe të FNSH Shkodër.

Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe sqarimin e plotë të rrethanave të saj.


Video