Gjykata e Posaçme ka liruar nga burgu ish-deputetin Alqi Bllakon. Vendimi është dhënë nga gjyqtarja Irena Plaku.
Alqi Bllakos i është caktuar ditën e sotme masa e sigurisë “arrest shtëpie” nga gjykata. Burime bëjnë me dije se ish-deputeti është liruar për arsye familjare.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste ka kërkuar dhe herë të tjera të lirohet nga burgu. Bllako ka depozituar në Apelin e Gjykatës së Posaçme më para kërkesën për ndryshimin e masës së arrestit me burg.
Bllako pretendonte se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale prej tij dhe nuk ekzistojnë kushtet ligjore për masën e “arrestit në burg”.
Bllako u fut në burg në lidhje me çështjen e inceneratorëve. Ai akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK Bllako ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit. Kjo shkelje, thotë Prokuroria e Posaçme, është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi.