
Sot Ervis Martinaj mbush 40-vjeç, 'mbreti i llotove' ka lindur në Burrel në 6 Tetor 1982. Por prej dy muajsh është zhdukur pa gjurmë.
Kërkimet janë shtrirë, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, megjithatë policia nuk e ka një përgjigje nëse është gjallë apo vdekur.

Misteri për zhdukjen e ‘mbretit’ të lojërave të fatit, sa vjen e shtohet çdo ditë e më shumë. Martinaj, i njohur ndryshe edhe si “Mbreti i basteve” u zhduk në 9 gusht dhe tashmë po bëhen dy muaj që nuk dihet asgjë mbi fatin e tij.
Në momentin e zhdukjes, Martinaj kërkohej nga policia, por më shumë nga kundërshtarët e tij, të cilët më parë i kishin “prerë” krahët duke i vrarë shokët dhe të afërmit. Më i fundit ishte Brilant Martinaj që u ekzekutua në korrik 2022 në Fushë Krujë bashkë me dy shokë të tjerë.
Ndërkohë që nuk dihet asgjë mbi fatin e Martinajt, vazhdimisht në media qarkullojnë foto të tijat, të cilat nuk dihet nëse janë të tanishme ose të mëparshme.
Fotoja e fundit ka të bëjë me një moment kur ai ndodhet në plazh dhe kë bërë një “selfie”. Nga xhami i syzeve duket se bëhet fjalë për një plazh në jug të vendit, ndërsa pas tij ndodhet një person tjetër, në rolin e badigardit./VoxNews