Gjeti protofolin me mbi 6 mijë euro, kush është shkodrani bujar që ia riktheu sërish turistit italian, mori si shpërblim vetëm 100 euro

21 September 2022, 18:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjeti protofolin me mbi 6 mijë euro, kush është shkodrani bujar
Erind Shkambaj

Efektivët e policisë së Shkodrës janë shtangur, kur në dyert e komisariatit u shfaq një i ri që kërkonte të dorëzonte para. 16-vjeçari, Erind Shkambaj, mëngjesin e së dielës ishte nisur si çdo fundjavë tjetër, për në punë por rrugës, gjeti një portofol në tokë.

"Duke kaluar në rrugë, pashë një protofol. E mora, kishte letra italiane, karta banke. Ndenja gjysmë ore mos kalonte, njeri, e pashë që nuk kaloi njeri. E futa në xhep mbrapa dhe shkova e kontrollova diku, ku nuk mund të më shihte asnjë njeri dhe pash se kishte lekë brenda, rreth 6-7 mijë euro." tha Erind Shkambaj për TCH.

Ai i përkiste turistit italian Claudio Perrinella, i cili ishte ndalur në fshatin e Oblikës në Shkodër, ku banon Erindi, për të blerë diçka dhe pastaj portofoli i kishte rënë nga xhepi. Në të ishin karta e identitetit, karta të llogarive bankare dhe një shumë prej mbi 6000 eurosh.

Para për të cilat, djaloshi duhet të punojë për shumë kohë për ti fituar. Bujaria dhe fisnikëria e 16-vjeçarit u shpërblye me vetëm 100 euro nga ana e italianit.

"Ai lek nuk futet në shtëpi për mendimin tim. Më mirë 100 euro që më fali italiani se sa 6400 euro" thotë djaloshi bujar.

Erindi na tregon se në familjen e tij të gjithë janë punëtorë të thjeshte dhe janë mësuar që çdo gjë ta fitojnë me djerse.

I riu gjatë javës vazhdon shkollën e mesme ndërsa në fundjavë punon si ndihmës kamarier në një prej restoranteve në qytet. Pasditeve stërvitet fort me ekipin e Shkodrës me ëndrrën se një dite do të bëhet portier i madh.


Video