Deputetja e PD-së, Flutura Açka ka reaguar e revoltuar pas vendosjes së banderolës me foton e trajnerit të Romës, Jose Mourinho-s në muret e Universitetit Politeknik të Tiranës.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Açka i kërkon Prokurorisë së Tiranës që të nisë hetimet për personat që kanë “bërë këtë shkelje”, pasi sipas saj, asetetet publike duhet të jenë neutrale në finalen e Uefa Conference League Roma-Feyenoord.
“Kush ia jep të drejtën e kësaj shkeljeje ligjore? Kjo fasadë është pronë publike dhe Stadiumi Shqiptar, dhe asetet publike, duhet të jenë neutrale në ndeshjen e nesërme. Kush e ka bërë këtë shkelje, kush ka urdhëruar për këtë, duhet të përballet me ligjin.
Në shtëpinë e tij, në ballkonin e tij, në rradaken e tij, në injorancën e tij, kushdo mund të bëjë tifo për kë të dojë, por të përdorësh hapësirat publike nē këtë formë, është e dënueshme. I bëj thirrje Ministrisë së linjës, Federatës së Futbollit, Rektoratit të University dhe Bashkisë Tiranë të mos e shkelin rregullin bazë të neutraliteit në institucionet publike.
I bëj thirrje Prokurorisë së Tiranës të nisë menjëherë hetimet për shkelësit e ligjit dhe abuzantët të veshur me pushtet. Mos e bëni pis ende pa filluar festa! Ai poster duhet të hiqet menjëherë dhe është një turp kombëtar për këdo që ka urdhëruar të vendoset aty”, shkruan Flutura Açka.