Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Kolonjë. 32-vjeçari Genti Isai nga Kanigjasi ka humbur jetën në rrethana misterioze.
Burime bëjnë me dije se paraditen e sotme, ai ka patur shqetësime për dhimbje dhëmballe, ndërsa ka shkuar tek stomatologu dhe ka marrë recetën e qetësuesve. Pas marrjes së mjekimeve në farmaci, ai është rikthyer në banesë.
Por, pak orë më vonë, 32 vjeçari nuk është ndjerë mirë dhe babai i tij ka lajmëruar ambulancën, por kur mjekët mbërritën në banesë, fatkeqësisht i riu kishte ndërruar jetë.
Viktima ishte fëmijë i vetëm. Pritet të kryhet autopsia e viktimës për të zbuluar shkaqet e vdekjes.
Njoftimi i Policisë:
Sot, rreth orës 17:00, në fshatin Kagjinas, Kolonjë, në banesë, ka ndërruar jetë shtetasi G. I., rreth 32 vjeç. Nga këqyrja e jashtme e trupit të 32-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.