Policia greke ka ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm një operacion sekret në qelitë me shqiptarë në burgun e Chanias në Kretë.
Media greke Protothema.gr, raporton se janë ushtruar kontrolle në 6 qeli me 13 të burgosur shqiptarë, mes tyre dhe në qelinë e kreut të mafias shqiptare në Greqi, Klaudian Lekotsai.
Kontrollet janë ushtruar në vazhdim të hetimeve për vrasjen e Kreshnik Çerçizaj e Armando Organja mbrëmjen e të diel në një lokal të lagjes Nea Smyrni, e cila dyshohet se ka lidhje dhe me vrasjen e Edmond Papës pasditen e të premtes në Tiranë. Dyshohet se porosia për këto vrasje mund të ketë ardhur nga burgjet (më i përfoluri ai i Domokos) dhe ka lidhje me larjen e hesapeve mes shqiptarëve.
Në qelitë e “baronëve” shqiptarë të krimit kanë zbarkuar agjentët e Attica Security (rajoni i Atikës në Athinë) i kryesuar nga oficerët me përvojë të Krimeve në bashkëpunim me Departamentin e Vrasjeve, një ekip nga EKAM dhe një qen nuhatës droge.
Operacioni ka qenë aq “top-secret” sa është kryer në fshehtësi ekstreme pa informimin paraprak të autoriteteve të burgut.
“Gjithçka është bërë në shkallë konfidenciale”, ka thënë një oficer i ELAS për Protothema.gr.
“Policia nuk ka sindroma fobike dhe ndërhyn në kohën dhe vendin që i sheh të dobishme dhe të nevojshme. Në Burgjet e Chanias të Kretës ka vite që nuk ka ndodhur një ndërhyrje e tillë policore”, ka rrëfyer ai.
Për sendet dhe lëndët narkotike të gjetura dhe të konfiskuara në qeli, do të vijojë përditësim nga Komisariati.
Dyshohet se Edmond Papa, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja, kanë lidhje dhe me një sërë atentatesh dhe vrasjesh të tjera mes Tiranës dhe Athinës, mes të cilëve dhe ekzekutimi me bombë me telekomandë i Aleksandër Sadikajt më 11 Qershor të këtij viti në Tiranë. Shkak dyshohet të ketë qenë humbja e rreth 700 kg kanabis kohë më parë.