
Forca të shumta policore kanë mbërritur këtë të premte në rrugën “Margarita Tutulani”, në zonën e “Petro Ninit”, pasi do të bëhet boshatisja e ambienteve të brendshme të një pallati, i cili do të shembet sepse pretendohet se është dëmtuar nga tërmeti.
Ndërkohë, banorët thonë se janë në proces gjyqësor dhe nuk pranojnë të dalin nga apartamentet. Një grua e moshuar, banore në këtë pallat, ka thënë se nuk do t’i nxjerrë orenditë nga apartamenti, por do ju vërë flakën brenda.
“Unë do t’i vërë zjarrin aty brenda, do digjem dhe vetë aty. Ku të shkoj?! Të vijë të na strehojë, një dhomë, një aneks. Kam 45 vite që jetoj këtu. Unë jam shqiptare, jam e këtij vendi, lindur e rritur këtu. A ka shtet këtu?!”,- tha ajo ndër të tjera për mediat.
Atje ndodhen dhe përmbaruesit si dhe trupa të IKMT-së, të cilët po negociojnë me banorët që të dalin nga pallati. Pjesa më e madhe e tyre janë banorë të moshuar, të cilët këto apartamente i kanë të vetmet streha.
Një banore, deklaroi se një person që i është paraqitur si pronar ditë më parë, i kishte ofruar 5 milionë lekë të vjetra, me kusht që të lironte apartamentin. Por, sipas saj, me 5 milionë lekë të vjetra nuk mund të më marrin shtëpi tjetër askund.
Kalvari i përballjes së këtyre familjeve me shtetin ka nisur që prej vitit 2013. Kanë qenë në disa procese gjyqësore dhe vijojnë të jenë dhe aktualisht. 17 familje kanë qenë në total të strehuar në këtë pallat, mirëpo 7 prej tyre janë larguar gjatë viteve, kur nisën proceset gjyqësore.