Në ditën e 74-ërt radhazi të protestës kundër qeverisë, me rastin edhe të Ditës së Të Rinjve, fjalimet përpara godinës së Kryeministrisë kanë vijuar me mesazhe të forta nga brezi i ri.
Një e re ka marrë fjalën për të denoncuar krizën e emigrimit, pamundësinë për të ndërtuar një të ardhme në vend dhe harresën e qeverisë ndaj rretheve e fshatrave.
E reja u shpreh se politikat e qeverisë aktuale po detyrojnë djemtë dhe vajzat e Shqipërisë të braktisin vendin, ndërsa theksoi se vetëm militantët e pushtetit kanë garanci për të ardhmen:
“Sot në këtë ditë të të rinjve dua të flas për realitetin që shohim çdo ditë. Shqipëria po humbet rininë e saj prej politikave që ka krijuar kjo qeveri. Po humbasim vajzat e djemtë që duhet të ndërtonin këtë vend, studentët, profesionistët, sipërmarrësit dhe ëndrrat e një brezi të tërë. Po studiojmë por pa ditur çfarë do ndodhë me ne! Vetëm patronazhistët e kanë të ardhmen të sigurt në Shqipëri! Ne nuk po arrijmë të mbijetojmë në Shqipëri, jo më të kërkojmë të ardhme këtu! Po e shohim të ardhmen vetëm jashtë sepse nuk po na mundësojnë të ardhme në Shqipëri!”
Më tej, ajo ndaloi te diferencimi dhe mungesa e shërbimeve bazë për të rinjtë që jetojnë jashtë kryeqytetit:
“Një problem tjetër që dua të prek është se Shqipëria nuk është vetëm Tirana! Shqipëria është edhe në qytetet e vogla, edhe në fshatrat! Po për ta ka menduar ndonjëherë qeveria? Atje nuk ka shërbime, universitete, shërbimi social nuk funksionon për të rinjtë. Kur kemi një hall, e keni menduar ku do të drejtohemi?!” deklaroi ajo nga podiumi i protestës.
Një tjetër i ri që mori fjalën gjatë protestës ka përcjellë një mesazh për emigrimin e të rinjve dhe situatën në vend.
Teksa mori fjalën në protestën përpara Kryeministrisë, protestues theksoi se rinia nuk kërkon privilegje, por një jetë me dinjitet dhe që ta ndërtojë të ardhmen e saj në Shqipëri.
Ai deklaroi se çdo ditë një i ri mbyll valixhen dhe largohet për shkak se pagat në vend nuk mjaftojnë as për një qira, ndërsa blerja e një shtëpie dhe krijimi i një familjeje është i pamundur për shkak të vështirësive.
“I kërkojnë një të riu, të studiojë, të punojë dhe të jetë i ndershëm por paga nuk mjafton as për qira. Një shtëpi duket si një ëndërr. Krijimi i familjes shtyhet vit pas viti. Më pas habiteni se të rinjtë ikin.
Më e dhimbshmja nuk është avioni që ngrihet, por nëna që ngelet vetëm në shtëpi. Babai që plaket duke parë fëmijën nga telefoni. Fshati pa të rinj, qyteti pa fëmijë. Shqipëria që boshatiset. Një vend që humbet rininë, humbet të nesërmen.
Prandaj ne iu kërkojmë një Shqipëri ku nuk duhet të largohesh për të jetuar me dinjitet. Rinia kërkon të ardhmen e saj ta ketë këtu. Rinia kërko revolucion“, tha ai.