Guvernatori la studenten shtatzënë, më pas e vrau bashkë me fëmijën 

27 Nëntor 2026, 18:43Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Guvernatori la studenten shtatzënë, më pas e vrau bashkë me

Një ish-guvernator në Kenia është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e një studenteje 26-vjeçare, e cila ishte shtatëmuajshe shtatzënë me fëmijën e tij.

Zacharia Okoth Obado, ish-guvernatori i qarkut Migori, u shpall fajtor për vrasjen e Sharon Belyne Otieno, e cila u ekzekutua në shtator të vitit 2018, pasi lidhja intime mes tyre kishte përfunduar në një shtatzëni që, sipas hetimeve, ai nuk e dëshironte. Bashkë me të, Gjykata e Lartë dënoi edhe dy ish-bashkëpunëtorë të tij, të cilët ndihmuan në organizimin dhe fshehjen e krimit.

Sipas vendimit të gjykatës, Obado kishte siguruar motivin dhe burimet financiare për realizimin e vrasjes, ndërsa ish-asistenti i tij personal, Michael Oyamo, kishte koordinuar ekzekutimin e planit. Oyamo u dënua gjithashtu me 25 vite burg, ndërsa ish-nëpunësi i qarkut, Caspal Ojëang’ Obiero, mori 18 vite burg për mbështetjen logjistike dhe ndihmën në fshehjen e krimit.

Gjyqtarja Cecilia Githua hodhi poshtë pretendimin se mungesa e Obados në qarkun Migori në momentin e vrasjes e përjashtonte atë nga përgjegjësia penale. Ajo refuzoi kërkesën e prokurorisë për dënimin me vdekje, por edhe kërkesën e ish-guvernatorit për një dënim që nuk do ta dërgonte në burg.

Ngjarja e rëndë ndodhi mes datave 3 dhe 4 shtator 2018, pasi Sharon Otieno ishte larguar nga një hotel në Rongo, në jugperëndim të Kenias, së bashku me gazetarin Barrack Oduor.

Studentja e kishte kontaktuar gazetarin për të diskutuar mbi marrëdhënien e saj me guvernatorin e atëhershëm, por pak më vonë të dy u rrëmbyen nga persona të paidentifikuar. Oduor arriti të shpëtonte duke u hedhur nga automjeti në lëvizje, ndërsa dëshmia e tij u kthye në një nga pistat kryesore të hetimit.

Trupi i 26-vjeçares u gjet më vonë pranë pyllit Kodera, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore përcaktoi se ajo kishte vdekur nga mbytja dhe humbja e madhe e gjakut, si pasojë e plagëve të shumta me thikë. Hetimet konfirmuan gjithashtu se Obado ishte babai biologjik i foshnjës, që gruaja mbante në bark.

Ish-guvernatori dhe bashkëpunëtorët e tij u shpallën fajtorë për vrasje më 23 korrik 2026, pas një procesi të gjatë gjyqësor ku prokuroria paraqiti dëshmitë e 42 personave dhe 81 prova materiale. Para shpalljes së dënimit, nëna e Sharonit i kërkoi gjykatës të mos e dërgonte Obadon në burg, duke argumentuar se kjo do të ishte si një tjetër vdekje për familjen dhe se tre fëmijët e tij nga marrëdhënie të ndryshme kishin nevojë për mbështetjen e të atit.

Megjithatë, gjyqtarja theksoi se rrethanat familjare nuk mund të mbizotëronin mbi detyrimin e drejtësisë për të dhënë një dënim të përshtatshëm. Gjykata refuzoi gjithashtu kërkesën e familjes së viktimës për kompensim financiar, me arsyetimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për humbjet e pretenduara. Ndërkohë, si ekipi ligjor i Obados, ashtu edhe familja e viktimës kanë bërë të ditur se do ta apelojnë vendimin.

Vrasja e Sharon Otienos shkaktoi protesta dhe riktheu debatin mbi dhunën ndaj grave në Kenia, ku një anketim kombëtar tregoi se të paktën 34% e grave kishin përjetuar dhunë fizike gjatë vitit 2022. Rasti tërhoqi vëmendje të veçantë edhe për shkak se është e rrallë që figura kaq të larta politike në vend të përballen me procese të tilla publike penale.

Obado kishte drejtuar për dy mandate qarkun Migori dhe në vitin 2023 ishte bashkuar zyrtarisht me partinë në pushtet të presidentit Uilliam Ruto, duke marrë rolin e organizatorit politik në rajon.

 


Vox Pop

Video