
Rreth 2 mijë efektivë policie do të angazhohen nesër në Tiranë për mbarëvajtjen e protestës së studentëve, e cila nis në orën 10:00 përpara Ministrisë së Arsimit dhe pritet të zhvendoset drejt Kryeministrisë.
Lidhur me protestën e nesërme, drejtori i Përgjithshëm I Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka zhvilluar një mbledhje me drejtuesit dhe vartësit e tij, ku ka dhënë dhe porositë tij për mbarëvjatjen e rendit dhe të sigurisë gjatë protestës duke hartuar një plan masash.
Ndër të tjera Hita ka kërkuar që efektivët e policisë të ruajnë qetësinë dhe të mos provokohen nga protestuesit dhe të zbatojnë vetëm ligjin.
Policia ka marrë masa për çdo skenar të mundshëm, ndërsa kontrolle të imtësishme do të kryhen edhe në pikat kufitare, për të verifikuar personat që do të hyjnë në Shqipëri nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas burimeve policore, synohet të identifikohen persona që kanë bërë thirrje për dhunë dhe që mund të përbëjnë rrezik për rendin publik.
Në gatishmëri do të jenë edhe forcat e FNSH-së, Shqiponjat dhe policia rrugore. Institucionet që do të sigurohen përfshijnë Ministrinë e Arsimit, Kryeministrinë, Parlamentin dhe selinë e Partisë Socialiste.
Qarkullimi rrugor do të kufizohet në varësi të itinerarit të protestuesve, ndërsa policia do të nisë angazhimin në terren që prej orës 07:00 të mëngjesit.