Erion Veliaj vë në pikëpyetje hetimet e SPAK-ut

27 Nëntor 2026, 17:16Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Erion Veliaj vë në pikëpyetje hetimet e SPAK-ut

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të marra nga Gjykata e Posaçme dhe Gjykata e Lartë.

Në kërkesën e tij, Veliaj kërkon gjithashtu konstatimin e shkeljeve procedurale që pretendon se janë kryer nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) gjatë hetimeve ndaj tij, si dhe shpalljen e pavlefshmërisë së akteve hetimore dhe papërdorshmërisë së provave të mbledhura.

Së fundmi, kreu i bashkisë më të madhe në vend nuk ka ‘reshtur’ me kërkesat e tij nga qelia, në fakt për një çështje tjetër, atë që lidhet me shëndetin e tij.

Ai ka kërkuar që të operohej në kryeqytet pasi ka thyer këmbën gjatë qëndrimit në paraburgimin e Durrësit.

Mirëpo kjo kërkesë është rrëzuar nga ana e GJKKO-së, me argumentin e moskompetencës dhe se kjo përgjegjësi i takon Drejtorisë së Burgjeve.

Nga ana tjetër, jo më larg se dje, Gjykata e Posaçme gjeti fajtor nëntë të pandehur të dosjes së ndarë të kryebashkiakut të Tiranës duke i dënuar ata në total me 18 vite burg dhe 12. 5 milionë lekë gjobë. Tre të tjerë u shpallën të pafajshëm.


Vox Pop

Video