Dita e 75-të e protestës, aktivistja Luçiana Kokaj: Musine Kokalari na mësoi se diktatura mbahet edhe nga ata që heshtin

13 August 2026, 20:52Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dita e 75-të e protestës, aktivistja Luçiana Kokaj: Musine
Aktivistja Luçiana Kokaj

Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë hyri këtë të enjte në ditën e saj të 75-të ndërsa si çdo pasdite, pas orës 19:00, ata u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku vijuan me thirrjet “Ju erdhi fundi”, “Shqipëri e re”, “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, etj.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit u nisën në marshim drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u ndalën përpara godinës së Kryeministrisë ku po vijojnë me thirrjet kundër qeverisë dhe me fjalime.

Në protestën para Kryeministrisë, aktivistja Luçiana Kokaj iu referua figurës së Musine Kokalarit, në përvjetorin e vdekjes së saj, duke e cilësuar historinë e saj si një shembull të qëndresës dhe guximit përballë pushtetit.

Kokaj tha se Musine Kokalari dëshmoi se edhe një njeri i vetëm mund të qëndrojë kundër padrejtësisë dhe të mbrojë bindjet e tij.

“Sot është përvjetori i vdekjes së Musine Kokalarit. Ajo na mësoi se qëndresa është virtyti më i çmuar. Historia e Musine Kokalarit na tregon të kundërtën: një njeri mund të jetë i vetëm dhe përsëri të ketë të drejtë”, u shpreh ajo.

Aktivistja theksoi se Shqipëria dhe pasuritë e saj nuk duhet të trajtohen si të ishin në shitje, duke përmendur Rrjollin, Zvërnecin dhe Lurën si simbole të trashëgimisë dhe pasurisë së vendit.

“Kur flasim për Shqipërinë, nuk flasim vetëm për një copë tokë. A duhet të tërhiqen shqiptarët përballë pushtetit? Shqipëria nuk është në shitje. Rrjolli, Zvërneci, Lura, dinjiteti ynë nuk është në shitje”, tha Kokaj.

Ajo e mbylli fjalën me një apel për drejtësi, transparencë dhe respektimin e ligjit, duke theksuar se protesta nuk synon dhunën.

“Musine na dha një mësim të madh: diktatura mbahet edhe nga ata që heshtin. Nuk jemi këtu për dhunë, por për të kërkuar drejtësi, transparencë dhe ligj”, deklaroi aktivistja.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë aktuale. Si çdo protestë tjetër, pas fjalimeve protestuesit pritet të marshojnë në rrugët e Tiranës.


Video