Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në Rrëshen të Mirditës.
Burime zyrtare bëjnë me dije se babë e bir, shtetasit Martin Bardhi dhe Enrik Bardhi kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit Saimir Reçi. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes dy të rinjve Saimir Reçi dhe Enrik Bardhi, ku ky i fundit ka shkuar në banesën e tij dhe më pas është kthyer së bashku me babain e tij me armë zjarri pistoletë me vete.
Gjatë largimit, Saimir Reçi ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe është përplasur me bordurën e rrugës. Babë e bir Martin Bardhi dhe Enrik Bardhi janë shpallur në kërkim, ndërkohë nuk ka patur persona të lënduar nga të shtënat.
“Qëlluan me armë zjarri, pas një konflikti të çastit, drejt automjetit të një shtetasi, identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar (babë e bir). Në Rrëshen, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, dyshohet se shtetasit M. B. dhe E. B. (babë e bir), banues në Mirditë, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit S. R., banues në Mirditë, i cili gjatë largimit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti është përplasur me bordurën e rrugës.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Në mbështetje të tyre kanë shkuar edhe Forcat Operacionale të DVP Lezhë. Nga veprimet e para hetimore rezulton se fillimisht janë konfliktuar dy të rinjtë me njëri-tjetrin dhe më pas shtetasi E. B. ka shkuar në banesë dhe së bashku me babanë e tij, shtetasin M. B., kanë marrë një armë zjarri pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi S. R. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar. Janë ngritur pika kontrolli, si dhe vijon kontrolli i zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.” – njofton policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, me qëllim zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.