Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka arrestuar ditën e sotme një efektive të Policisë së Tiranës, pasi akuzohet për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.
Bëhet fjalë për shtetasen E.H., me detyrë punonjëse civile pranë Zyrës së Shërbimit ndaj Qytetarëve. Gjykata ka caktuar për këtë shtetase masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
"Dy shtetas shqiptarë të Kosovës kishin aplikuar për fitimin e shtetësisë shqiptare në kategorinë “Me origjinë” dhe kishin dorëzuar dokumentacionin përkatës pranë punonjëses E.H. Nga hetimet ka rezultuar se kjo punonjëse, duke shfrytëzuar atributet për shkak të funksionit organik i ka kërkuar dhe marrë atyre një shumë parash duke ua argumentuar si pagesë për tarifën e shërbimit, ndërkohë që sipas legjislacionit në fuqi për përfitimin e shtetësisë, kjo kategori është e përjashtuar nga pagesa." thuhet në njoftimin e AMP-së.
Agjencia e Mbikqyrjes Policore fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090