Arben Ahmetaj i akuzuar për korrupsion 22 vite më parë, si u zhduk dosja kur ai ishte në krye të Tatimeve

8 February 2023, 21:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arben Ahmetaj i akuzuar për korrupsion 22 vite më parë, si u
Arben Ahmetaj

“Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet”. Kjo, është një thënie e njohur e shkrimtarit irlandez Oskar Uajlld. Një thënie lapidare për politikanët që i përndjek e shkuara e tyre.

Një dokumentar i emisionit "Inside Story", zbulon të shkuarën e panjohur, por edhe skandalet e të tashmes për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj. Njeriun që rëndom etiketohet si politikani i parave, jo vetëm prej aferave të rënda për të cilat është përfolur, por edhe për postet që ka mbajtur. 

Mbase shumë pak e dinë, por, politikani i së majtës Arben Ahmetaj, ofiqet e para të pushtetit i ka pasur pranë demokratëve. Në CV zyrtare, Ahmetaj është kujdesur të fshehë hapat e para në politikë pranë Partisë Demokratike.

Në vitin 1991 që përkon me rënien e diktaturës, Ahmetaj përfundoi studimet për gjuhë angleze në Unversitetin e Tiranës. Në vitin 1992 ai shërben në Ministrinë e Financave si këshilltar i ministrit demokrat Genc Ruli. Ai la punën në emigracion në shtetin grek ku ishte shpërngulur prej korrikut të vitit 1991 dhe u katapultua  pranë njërit prej ministrave më të rëndësishëm të Partisë Demokratike.

Në këtë kohë, Arben Ahmetaj punoi edhe në një projekt të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Projekt që kishte mision për të ndihmuar në transformimin e finanancve shqiptare, nga një shtet komunist në një ekonomi tregu. Në vitin 1992, ai fiton formimin e parë në profilin ekonomik përmes një kursi 1-mujor në SHBA për mikrokreditë. Deri në vitin 1995 ai ka punuar edhe si Këshilltar për çështjet Fiskale në Bankën e Shqipërisë.

Ahmetaj po i rriste ambiciet dhe kuptoi se me diplomën e një mësuesi anglishteje nuk do të arrinte atje ku donte. Në periudhën mes viteve 1995-1997 ai zhvendoset në SHBA ku kryen studimet master në degën “Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci” në Kentucky të Shteteve të Bashkuara. Më në fund, ai e kishte një diplomë ekonomike, profil që I përshtatej edhe me punën.

Ahmetaj në gjithë rrugëtimin e tij, ka pasur nuhatje të fortë për të qenë me fituesit, por pa fituar kurrë një betejë vetë. Nga demokrat, ai konvertohet në socialist në vitin 1997.

Ahmetajt i hapet dera në qeverinë Nano për tu bërë Drejtor i Kabinetit në Ministrinë e Financave dhe përgjegjës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare post që e mbajti deri në vitin 1998. Më pas, emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve. Ai qëndroi për një vit në detyrë. Kjo periudhë, konsiderohet si një ndër më problematiket e administratës tatimore. Inside Story ka mësuar nga burime të ndryshme nga pjesëtarë të kabinetit të kohës dhe prokurorë lidhur me ekzistencën e një dosjeje të madhe korrupsioni për të cilën nuk është folur kurrë më parë.

Dosja në fjalë kishte prova për një ministër, Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, drejtorin e doganave, dhe të tjerë zyrtarë të lartë. Provat ishin grumbulluar dhe bënin fjalë për afera pikërisht kur në krye të Tatimeve ishte Arben Ahmetaj. Por, ai nuk u vu kurrë  nën akuzë. Dosja e korrupsionit u dorëzua aso kohe nga një zyrtare evropiane e quajtur Natalia Ceha (lexo: Çe’ha). Ajo ishte Kryetare e Divizionit të VI –Antikorrupsion pranë Bashkimit Evropian. Materiali iu dorëzua qeverisë dhe prokurorisë por kurrë nuk doli në dritë. Me dorëzimin e dosjes, zyrtarja evropiane mësohet se u largua pas presioneve të shumta.

Madje, në atë kohë zyrtares evropiane i çuan një zarf me plumba.

Inside Story, adresoi kërkesë zyrtare për informacion lidhur me çëështjen pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Ky institucion, konfirmon për herë të parë ekzistencën e një dosje të tillë e cila për vite me radhë ëhstë bërë kujdes të fshihet.

Nëse hetimet do të ishin cuar përpara, dosja mund të fundoste nga ish-drejtorin e tatimeve Arben Ahmetaj, e deri tek disa ministra të kohës. Sipas organit qëndror të akuzës, dosja i është përcjellë për hetime të mëtejshme prokurorisë Tiranë përmes shkresës me numër protokolli 339/3 datë 22 Shkurt 2000.

Pra, Arben Ahmetaj dhe disa zyrtarë të tjerë janë hetuar 22 vite më parë për korrupsion në një çështje të mbajtur sekret. Ne u interesuam në Prokurorinë e Tiranës por në protokollin e këtij institucioni nuk ka asnjë të dhënë për ekzistencën e kësaj dosjeje.

Me sa duket, materialet dhe provat hetimore ose janë zhdukur me kohë, ose dikush ka ndërhyrë që skandali të mos zbulohej kurrë. I takon organeve ligjzbatuese të verifikojnë çfarë ka ndodhur me dosjen ku mes shumë zyrtarëve, renditej edhe emri i ish-drejtorit të Tatimeve, sot deputet i Kuvendit pas shkarkimit si zëvendëskryeministër. Ajo që dihet me siguri është fakti se zyrtarja evropiane Natalia Ceha, e ka depozituar dosjen edhe në qeverinë e kohës dhe disa ministra kanë pasur kopje.

Bie në sy fakti se njerëzit e përmendur për korrupsion në atë dosje, u larguan nga detyrat në heshtje, përfshirë edhe Arben Ahmetajn. Me sa duket, çështjes iu vu kapaku thjesht me largime nga detyra dhe pa cuar para drejtësisë askënd prej zyrtarëve.


Video