Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona dhe ka proceduar penalisht tre të tjerë pasi kanë goditur për shkak të detyrës një mjeke dhe kanë dëmtuar dyert dhe dritaret e spitalit shtetëror ku ajo punonte.
Në pranga janë vënë shtetasit Igli Spahija, 41 vjeç dhe Bledar Bali, 54 vjeç, të dy banues në Tiranë, ndërsa janë proceduar penalisht shtetasit: K. S., 50 vjeç (me precedent të mëparshëm penal), E. Xh., 47 vjeç dhe A. M., 55 vjeç.
"Këta shtetas, rreth orës 02:00 të ditës së sotme, në ambientet e një spitali shtetëror, kanë goditur me grushte, për shkak të detyrës, një mjeke të këtij spitali, me pretendimin për neglizhencë mjekësore ndaj një të afërmi të tyre, që mjekohej në këtë spital, si dhe kanë dëmtuar dyert dhe dritaret e këtij institucioni.
Gjithashtu, këta shtetas nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë që shkuan në vendin e ngjarjes, menjëherë pas marrjes së njoftimit për këtë rast." thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Goditje për shkak detyrës", “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.